Verdikti i “Venecias” për Metën del më 11 tetor

Komisioni i Venecias do të dalë më 11 tetor me një opinion nëse Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka shkelur ose jo Kushtetutën me vendimin për të zhdekretuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale. Komentet janë bërë pas përfundimit të takimit të anëtarëve të delegacionit të “Venecias” me anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar që është ngritur për shkeljet e pretenduara të Metës.

Të pyetur nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, jashtë ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, anëtarët e delegacionit të “Venecias” deklaruan se ishin të kënaqur nga takimet e zhvilluara në Tiranë dhe se kanë marrë të gjithë informacionin e duhur.

Pas një muaji, “Venecia” do të japë mendimin e saj nëse Meta është në shkelje të Kushtetutës me dekretin e nxjerrë më 8 qershor.

Komisioni i Venecias u takua me zyrtarët më të lartë të vendit, përfshirë vetë presidetin dhe drejtuesit e mazhorancës dhe opozitës.

Top Channel