Kosovë-Serbi, kur e vërteta fshihet turpshëm

Nga Ben Andoni

I duhet shumë dikujt që ndodhet jashtë lidhjes së dy shteteve ballkanike, të kuptojë dialogun Serbi-Kosovë, por mund të lexojë shumë mirë nga aktet, që bëjnë presidentët respektivë në vendet reciproke. Ajo, që po kuptohet qartë, është se paçka rezistencës së madhe për mos ndryshimin e kufijve, ekziston një plan i përbashkët, që është i mirënjohur në qarqe e ngushta ndërkombëtare. Që do të thotë se plani për të ardhmen e Kosovës, ndryshimin e kufijve, njohjen dhe Asosacionin tashmë janë gati të detajuara. Problemi është një dhe i vetëm dhe ai ka lidhje me përgatitjen e terrenit për ta njohur faktori politik dhe publik në të dy vendet.

Serbia ka kohë që është e plotfuqishme në Kosovë, të paktën politikisht. Formacioni politik i serbëve ka një forcë të tillë, që vendos deri për fatin e qeverisë kosovare. Ashtu, si është e qartë se Ura e Mitrovicës, megjithë përrallat e ardhjes së Shakirës për inaugurimin, nuk do të hapet ndonjëherë. Është po ashtu e qartë se kryeministrja serbe Bërnabiç, e mënjanuara de facto me dëshirë e presidentit Vuçiç është pak larg dialogut, ashtu si homologu i saj kosovar Haradinaj, që gati nuk përfillet nga presidenti Thaçi. Njësoj parlamenti kosovar është “i pafuqishëm” (lexo i manipuluar) ndaj presidentit, ashtu si Vuçiç-it i bëhet rezistencë për atë që po afron për Kosovën me gjysmë-zëri.

Duket se njohja e Kosovës është afruar më shumë, por me kufij shumë të rrudhosur, ashtu si Asosacioni i Komunave serbe po merr jetë, paçka se është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Shkurt, Qeveria e Kosovës në praktikë ka nisur zbatimin e disa çështjeve që dalin nga kompetencat e saj: kështu p.sh, të gjitha pronat shoqërore nën autoritetin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit tashmë janë në administrimin e Mitrovicës së Veriut, referon KP, fakt, i cili  konsiderohet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Ashtu si ndodh me vendimet politike edhe në praktikë ka një mungesë të madhe transparence. Dhe, paçka problematikës së fundit të taksave, Kosova dhe Serbia në nivelet e larta duhet ta kenë gjetur gjuhën, kurse kinse deklaratat kundra pavarësisë dhe Asosacionin, janë thjesht retorikë. Problem, tashmë, mbetet thjesht zbardhja.

Ndaj presidenti Vuçiç, që konsideron se shqiptarët nuk respektojnë marrëveshjet të cilat i kanë nënshkruar para 10 vjetësh dhe presidenti Thaçi, që mëton se këmbëngul për njohjen reciproke dhe hyrjen në OKB dhe zëvendësimin e rezolutës 12/44, janë thjesht aksesorë të asaj që të dy e kanë sqaruar.

Por, a del Kosova e fituar apo Serbia?! Kisha, qeveria dhe politika serbe përjashtojnë çdo heqje dorë nga Kosova, megjithëse duket qartë se Serbia zyrtare po ikën dhe de jure, ashtu si presidenca kosovare beson se marrëveshja do të jetë njohje, ndërkohë që Asosacioni po merr jetë. Ajo, që dimë qartë, është se të dyja palët nuk kanë as minimumin e respektit për hierarkinë institucionale të vendit, sepse si ndodh në politikën ballkanase, mungon transparenca, ajo që do t’i bëjë të ndërgjegjshëm njerëzit për të ardhmen, që po duket realisht e dhimbshme për të dy palët. (Javanews)